Wednesday, October 26, 2016

Sekretet e bukurisë së një Geishe

 Kur vizitova Japoninë, lëkura ime u ndje pak inferiore karshi lëkurave të femrave japoneze tek të cilat nuk dallohej asnjë pore, skuqje apo rudhë sado e vockël. Lëmimi dhe bardhësia e fytyrave të tyre e cila ishte në kontrast magjepsës me flokët e zinj plot shkëlqim, të linte pa mend.


Por cilat janë sekretet për një fytyrë të tillë prej porcelani dhe flokë kaq magjepses? Në fakt janë truke shumë të thjeshta të cilat të gjitha mund t'i praktikojmë, por më e bukura është se pamja e tyre është e harmonizuar me sjellje shumë femërore. Këto gjysmë perëndi, joshin me një shikim të vetëm, magjepsin me sensualitetin e tyre të heshtur, dhe të shfaqen para syve lehtë, si një pupël. Dhe ja përpara teje, një fytyrë e bardhë me shikim të vendosur dhe flokë të zinj si pendë korbi.

Geishat ndajnë me ne disa sekrete bukurie. Nëse jeni kurioze t'i lexoni, ja, po i shkruajmë disa prej tyre.

Për trupin - Kripa e detit.


Ndërkohë që shumica e femrave e përdorin për skrab në lëkurën e trupit, geishat preferojnë përdorimin e tij në formë kremi. 2 lugë gjelle me kripë deti, ato e përziejnë me krem i cili në asnjë mënyrë nuk është krem me kimikate i botës së industrializuar. Pasi të keni përzier kremin me kripën e detit, masazhoni të gjithë trupin me lëvizje në formë rrethore. Bëjeni këtë në mes të dushit dhe kur të përfundoni, aplikoni vetëm një krem apo locion hidratues/zbutës. E lehtë apo jo?

Për fytyrën - Orizi


Siç e kemi thënë shumë vite më parë, orizi ka lëndë kimike të ngjashme me lëkurën e njeriut. Vetitë e tij zbardhuese dhe hidratuese, i ka bërë femrat japoneze ta përdorin që në vitin 1100. Më e mira është të përdorni tonikun e tij (sipas këshillave të Bimë Mjekësore).

Përveç tonikut, mund të përdorni orizin e bluar imët të cilin mund ta përzieni në mënyrë të barabartë me kos dhe ta aplikoni në fytyrë si maskë (afërsisht 10 minuta). Pas femrave japoneze, janë edhe ato indoneziane dhe indiane, të cilat nuk e ndajnë përdorimin e orizit, nga ritualet e tyre të bukurisë.

Për flokët - Indigo

Indigo është bima e rrallë e vendeve të largëta, lulet dhe gjethet e së cilës janë përdorur që nga lashtësia e deri në ditët e sotme. Fatmirësisht, tradita e përdorimit të kësaj bime nuk ka humbur por është përcjellë nga brezi në brez. Kjo bimë është përdorur për lyerje pëlhurash (industria e sotme e përdor për lyerjen e xhinseve), ndërkohë që vazhdon të përdoret edhe për lyerjen e flokëve. Nëse doni flokë të zinj, të plotë, me shkëlqim dhe vitalitet, asnjë bojë industriale nuk duhet të preki flokët tuaj. Bima e magjishme Indigo, nuk e ka humbur vlerën dhe rëndësinë e saj, e ju nuk keni asgjë më pak se femrat aziatike apo indiane për të mos e përdorur.

Këto janë pak sekrete por rrënjësore, të cilat geishat i ndajnë me femrat e jetës moderne. Ato duan, dhe janë qëllimisht të shkëputura nga jeta moderne e cila është industrializuar më tepër se ç'duhet. Modernizimi i tepërt i produkteve të bukurisë, ka bërë që bukuria e femrave të zbehet dhe të humbasi vlerën. Flitet aq shumë për bukuri dhe të njëjtën kohë ka shumë pak bukuri në botë.

Mësoni nga këto sekrete të thjeshta dhe aplikojini në jetën tuaj të përditshme. Edhe nëse harroni apo neglizhoni, Bimë Mjekësore do të jetë gjithmonë këtu për t'jua kujtuar :)


No comments:

Post a Comment